Ligji shqiptar per nderjetesimin
LIGJ
Nr.10 385, datë 24.2.2011
PËR NDËRMJETËSIMIN NË ZGJIDHJEN E MOSMARRËVESHJEVE
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Kuptimi i ndërmjetësimit
1. Ndërmjetësimi është veprimtari jashtëgjyqësore, në të cilën palët kërkojnë zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje me anë të një personi të tretë asnjanës (ndërmjetësit), për të arritur një zgjidhje të pranueshme të mosmarrëveshjes dhe që nuk bie në kundërshtim me ligjin.
2. Ndërmjetësimi për zgjidhjen me pajtim të mosmarrëveshjeve është veprimtari e pavarur, që ushtrohet në përputhje me këtë ligj dhe nën kujdesin e Ministrisë së Drejtësisë.
3. Ndërmjetësit nuk kanë të drejtë të urdhërojnë apo të detyrojnë palët të pranojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjes.
Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Ndërmjetësimi, sipas këtij ligji, zbatohet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të parashikuara nga pikat 2 dhe 3 të këtij neni, në çdo kohë që palët në konflikt, me vullnetin e tyre të lirë, kërkojnë dhe pranojnë ndërmjetësimin si alternativë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, pavarësisht nëse mosmarrëveshja është paraqitur përpara organit të përcaktuar nga ligji për zgjidhjen e saj. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe në ato raste kur gjykata, apo organi përkatës shtetëror, pas vënies në lëvizje për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, orientojnë palët drejt ndërmjetësimit, sipas pikave 4 dhe 5 të këtij neni.
_________________
1 Përafruar me direktivën 2008/52/EC “Mbi disa aspekte të ndërmjetësimit në çështjet civile dhe tregtare”, me nr. CELEX 32008l0052.
2. Ndërmjetësimi zbatohet për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve në fushën e së drejtës civile, tregtare, të punës dhe familjare.
3. Ndërmjetësimi në fushën penale zbatohet për mosmarrëveshjet që shqyrtohen nga gjykata me kërkesën e të dëmtuarit akuzues, ose me ankim të të dëmtuarit, sipas neneve 59 dhe 284 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në çdo rast kur ligji i veçantë e lejon atë.
4. Kur vihet në lëvizje për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje në fushën e së drejtës civile, tregtare, të punës apo familjare, gjykata ose organi përkatës shtetëror, brenda kompetencave të parashikuara në ligj, detyrimisht ftojnë palët për zgjidhjen me ndërmjetësim, veçanërisht, por pa e kufizuar vetëm në to, të mosmarrëveshjeve:
a) në çështjet civile dhe familjare, kur ndërthuren interesat e të miturve;
b) në çështjet e pajtimit në rastet e zgjidhjes së martesës, të parashikuar nga neni 134 i Kodit të Familjes;
c) me karakter pasuror me objekt padie deri në 500 mijë lekë, si dhe për paditë për kërkimin e sendit, për paditë mohuese e për paditë për pushimin e cenimit të posedimit.
5. Në rastin e mosmarrëveshjeve në fushën penale, kur procedimi penal ka nisur, gjykata detyrimisht fton palët për zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjeve të parashikuara në pikën 3 të këtij neni.
6. Mosmarrëveshjet për të cilat është e detyrueshme zgjidhja në rrugë gjyqësore nuk mund të zgjidhen me ndërmjetësim.
7. Për çështjet, që lidhen me procedura që nuk rregullohen nga ky ligj, në veprimtarinë e ndërmjetësimit, për aq sa është e mundur, zbatohen dispozitat ligjore që rregullojnë procedurat e tjera, duke marrë parasysh natyrën ligjore të çështjes.
8. Dispozitat e këtij ligji zbatohen, për aq sa është e mundur, edhe për procedurën e ndërmjetësimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rastet kur vetëm njëra nga palët ka vendbanimin në Republikën e Shqipërisë.
Neni 3
Parimet
1. Ndërmjetësimi bazohet në parimin e barazisë së palëve, konfidencialitetit të të dhënave, si dhe në respektimin e fleksibilitetit e të transparencës së procedurave dhe të vullnetit të palëve në proces.
2. Ndërmjetësi, në ushtrimin e funksionit të tij, siguron zgjidhjen e çështjes me efikasitet, drejtësi dhe paanshmëri, si dhe në mënyrë profesionale e pa paragjykime ndaj palëve apo çështjes, objekt ndërmjetësimi.
3. Ndërmjetësimi është vullnetar dhe palët në mosmarrëveshje janë të lira:
a) të zgjedhin ndërmjetësimin, si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të përcaktuara në këtë ligj;
b) të përcaktojnë kushtet, procedurën, si dhe afatet për aq sa ato janë të lejueshme;
c) të heqin dorë, në çdo kohë, nga zgjidhja e mosmarrëveshjes me ndërmjetësim.
4. Ndërmjetësi nuk ka përgjegjësi nëse ndërmjet palëve për zgjidhjen e konfliktit me ndërmjetësim nuk arrihet marrëveshje, ose nëse marrëveshja është arritur, por nuk zbatohet nga palët.
5. Në rastin kur palët arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet tyre, ndërmjetësi nuk ka përgjegjësi për moszbatimin e kësaj marrëveshjeje.
KREU II
LICENCIMI DHE USHTRIMI I VEPRIMTARISË
Neni 4
Licencimi
1. Ndërmjetësi e ushtron veprimtarinë, si person fizik ose juridik, nëpërmjet zyrës a qendrës së tij, pas licencimit dhe regjistrimit të tij në Regjistrin e Ndërmjetësve, sipas këtij ligji.
2. Pranë Ministrisë së Drejtësisë ngrihet Kom isioni i Licencimit të Ndërmjetësve, i cili përbëhet nga dy përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit dhe tre përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë. Rregulla më të hollësishme për krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Komisionit të Licencimit të Ndërmjetësve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Komisioni i Licencimit të Ndërmjetësve licencon subjektet e interesuara për ushtrimin e veprimtarisë së ndërmjetësimit, të cilat regjistrohen, si persona fizikë ose juridikë, në organet kompetente dhe në organet tatimore, në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Veprimtaria e këtyre subjekteve përfshihet në kategorinë XI.3 të shtojcës bashkëlidhur ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009 “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
4. Pranë Ministrisë së Drejtësisë krijohet Regjistri i Ndërmjetësve që ushtrojnë veprimtarinë e ndërmjetësimit, si profesion, së bashku me listat e ndërmjetësve përkatës.
5. Regjistri i Ndërmjetësve duhet të përmbajë:
a) identitetin, vendbanimin, numrin e licencës, datën e fillimit të veprimtarisë së ndërmjetësit dhe adresën e vendit ku zhvillohet veprimtaria e ndërmjetësit në rastin e personave fizikë;
b) emërtimin, llojin dhe selinë e shoqërisë, emrin/emrat e administratorëve dhe emrat e ndërmjetësve të punësuar në shoqëri, në rastin e personave juridikë.
6. Forma dhe përmbajtja e Regjistrit të Ndërmjetësve përcaktohet me urdhër të Ministrit të Drejtësisë. Ministria e Drejtësisë përditëson të paktën një herë në vit këtë regjistër dhe siguron publikimin e tij.
Neni 5
Kushtet për ndërmjetës
1. Shtetasi shqiptar ose i huaj, që ushtron profesionin e ndërmjetësit, duhet të përmbushë njëkohësisht këto kushte:
a) të ketë kryer programe të studimeve të ciklit të parë, sipas përcaktimeve të legjislacionit për arsimin e lartë;
b) të ketë mbushur moshën 25 vjeç;
c) të mos jetë dënuar për kryerjen me dashje të veprave penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
ç) të ketë përfunduar programin e trajnimit dhe të formimit profesional të ndërmjetësve, të miratuar nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve;
d) të jetë i licencuar dhe i regjistruar në Regjistrin e Ndërmjetësve.
2. Kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni duhet të përmbushen edhe në rastin kur ligji i veçantë vendos kritere shtesë për ndërmjetësit e procedurave të veçanta të ndërmjetësimit.
Neni 6
Heqja e licencës së ndërmjetësit
1. Ndërmjetësit i hiqet licenca dhe çregjistrohet nga regjistri në rastet kur:
a) heq dorë me kërkesën e tij nga ushtrimi i profesionit të ndërmjetësit;
b) humbet apo i kufizohet zotësia për të vepruar;
c) dënohet me vendim të formës së prerë për një vepër penale të kryer me dashje; ç) kryen shkelje të dispozitave të këtij ligji ose të Kodit të Etikës.
2. Heqja e licencës vendoset nga Komisioni i Licencimit të Ndërmjetësve, pas paraqitjes së një ankimi nga të tretët dhe sipas një procedure, e cila garanton të drejtën për t’u informuar, për të kërkuar sqarime rreth fakteve, për t’u dëgjuar, për t’u mbrojtur dhe për t’u ankuar.
3. Rregulla më të hollësishme për procedurën e heqjes së licencës së ndërmjetësit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, pasi të jetë marrë më parë mendimi i Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve.
Neni 7
Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve
1. Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve është person juridik, që ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur nga shteti.
2. Organet drejtuese të saj janë mbledhja e përgjithshme e ndërmjetësve dhe kryesia.
3. Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve ka përgjegjësitë e mëposhtme:
a) merr masat për rregullimin dhe kontrollin e ushtrimit të veprimtarisë së ndërmjetësimit në Republikën e Shqipërisë;
b) miraton aktet që rregullojnë veprimtarinë e ndërmjetësimit, si profesion, si dhe Kodin e Etikës së Ndërmjetësit;
c) miraton statutin e saj, ku përcaktohen edhe rregullat e hollësishme për mënyrën e organizimit e të funksionimit të Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve;
ç) merr masat për themelimin e dhomave vendore të ndërmjetësimit;
d) përcakton rregullat për tarifat e shpërblimit, për punën e ndërmjetësit dhe shpenzimet e kryera, si rezultat i veprimtarisë së ndërmjetësimit;
dh) harton dhe siguron pjesëmarrjen në program trajnimi të ndërmjetësve;
e) përcakton në statut detyrat dhe funksionet e organeve drejtuese të saj;
ë) kujdeset për informimin e nevojshëm të publikut për veprimtarinë e ndërmjetësimit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe për mundësitë e kontaktimit të ndërmjetësve.
4. Për realizimin e veprimtarisë së saj dhe në kuadër të cilësisë dhe efektivitetit të procesit të ndërmjetësimit, Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve mund të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me Shërbimin e Provës, Shkollën e Magjistraturës, organizatat jofitimprurëse dhe organe të tjera të sistemit të drejtësisë.
Neni 8
Dhomat e ndërmjetësimit
1. Çdo dhomë ndërmjetësimi ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur, duke respektuar rregullat e parashikuara në ligj dhe në statutin e vendimet e tjera, të miratuara nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve.
2. Numri minimal i ndërmjetësve, që mund të formojnë një dhomë ndërmjetësimi, caktohet në statutin e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve.
Neni 9
Të drejtat e ndërmjetësit dhe trajnimi
1. Ndërmjetësit, që e ushtrojnë këtë veprimtari si profesion, kanë të drejtë të kërkojnë dhe të shpërblehen për punën, si dhe për shpenzimet e kryera në procedurën e ndërmjetësimit, sipas marrëveshjes për ndërmjetësim, të nënshkruar me palët.
2. Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve përgatit, të paktën një herë në vit, një program trajnimi të detyrueshëm për të gjithë ndërmjetësit e sapo regjistruar pranë Regjistrit të Ndërmjetësve, si dhe mundëson e kujdeset për trajnimin në vazhdimësi të ndërmjetësve, i cili nuk duhet të jetë më pak se 20 ditë në vit.
Neni 10
Detyrat e ndërmjetësit
1. Ndërmjetësi e ushtron profesionin e vet në mënyrë të paanshme, me ndershmëri dhe profesionalizëm, respekton rregullat e etikës profesionale dhe përdor të gjitha mjetet e ligjshme për zgjidhjen e drejtë të mosmarrëveshjeve.
2. Ndërmjetësi nuk ofron këshillim ligjor.
3. Ndërmjetësi ruan konfidencialitetin për të dhënat, për të cilat ka dijeni për shkak të një procedure ndërmjetësimi, në raport me secilën prej palëve apo me persona të tjerë jashtë procedurave të ndërmjetësimit, me përjashtim të rastit kur pala, të dhënat e së cilës bëhen publike ose përpunohen sipas legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, ka dhënë miratimin e saj me shkrim.
4. Ndërmjetësi ruan sekretin profesional dhe nuk mund të detyrohet të dëshmojë për fakte dhe rrethana, për të cilat vihet në dijeni gjatë ushtrimit të veprimtarisë së ndërmjetësimit, përveç rasteve kur ka detyrimin me ligj që faktet t’i referojë tek autoritetet proceduese shtetërore.
5. Përveçse kur palët kanë rënë dakord ndryshe, ndërmjetësi nuk duhet të veprojë si arbitër për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje që ka qenë ose është subjekt i procedurave të ndërmjetësimit ose për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje tjetër, që rrjedh nga e njëjta marrëdhënie, e cila i është nënshtruar procedurës së ndërmjetësimit.
6. Me përfundimin e procedurës së ndërmjetësimit, ndërmjetësi njofton me shkrim, brenda afateve të përcaktuara në këtë ligj gjykatën ose arbitrazhin, me qëllim fillimin e procedurave të pezulluara për efekt të ndërmjetësimit.
Neni 11
Konflikti i interesit
1. Ndërmjetësi siguron që ndërmjet tij dhe palëve në një procedurë ndërmjetësimi nuk ekziston asnjë konflikt interesash. Kur ka dyshime për pavarësinë dhe paanshmërinë e tij, ndërmjetësi heq dorë nga procedurat e ndërmjetësimit.
2. Konsiderohet se ka konflikt interesash kur:
a) ndërmjetësi ka një interes personal, të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me të apo të afërmit e tij, në çështjen për të cilën kërkohet ndërmjetësimi;
b) ndërmjetësi është kujdestar apo përfaqësues i njërës prej palëve;
c) ndërmjetësi vetë, bashkëshortja ose të afërmit e tij, deri në shkallën e dytë, janë në konflikt gjyqësor, në marrëdhënie kredie ose huaje me njërën prej palëve;
ç) ekziston një arsye serioze dhe e mjaftueshme që tregon një situatë konflikti interesi.
3. Kur një personi i ofrohet mundësia për t’u zgjedhur si ndërmjetës, ai duhet të deklarojë, si dhe të vërë në dijeni palët për çdo rrethanë që mund të dëmtojë ose të shkaktojë dyshime për paanshmërinë dhe pavarësinë e tij në lidhje me rastin që ndërmjetësohet.
4. Ndërmjetësi, duke filluar nga koha e caktimit në këtë detyrë dhe gjatë kohës së
procedurës së ndërmjetësimit, duhet t’u deklarojë pa vonesë palëve çdo rrethanë që mund të përbëjë cenim ose dyshim në paanshmërinë dhe pavarësinë e tij.
KREU III
PROCEDURA E NDËRMJETËSIMIT
Neni 12
Procedura për ndërmjetësim
1. Procedura për ndërmjetësim fillon pas datës së paraqitjes së ftesës për ndërmjetësim nga të paktën njëra nga palët në konflikt palës tjetër, sipas këtij ligji, ose nga data e referimit të çështjes nga gjykata për zgjidhjen e saj me ndërmjetësim.
2. Nëse një palë në mosmarrëveshje i kërkon një pale tjetër ndjekjen e procedurave të ndërmjetësimit, sipas këtij ligji, dhe kjo e fundit nuk i përgjigjet kësaj kërkese brenda 30 ditëve nga data në të cilën është dërguar ftesa ose brenda afatit kohor të përcaktuar në ftesë, pala kërkuese mund ta vlerësojë këtë si mospranim të ftesës për ta zgjidhur mosmarrëveshjen me ndërmjetësim. Ftesa për ndërmjetësim, e paraqitur nga një palë në mosmarrëveshje, nuk pengon automatikisht këtë palë që të iniciojë fillimin e një procesi gjyqësor apo arbitrazhi në lidhje me këtë mosmarrëveshje, për shkak të kalimit të afateve të paraqitjes së padisë.
Neni 13
Procedura për ndërmjetësim në procesin civil
1. Gjykata, në përputhje me nenet 4, 25, 158/a, 158/b dhe 297 të Kodit të Procedurës Civile, fton palët për zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjes objekt gjykimi, parashikuar në nenin 2 pika 2 të këtij ligji dhe kur palët bien dakord pezullon gjykimin duke u caktuar palëve një afat në përputhj e me natyrën e mosmarrëveshjes.
2. Secila nga palët ka të drejtë të kërkojë në çdo kohë rifillimin e gjykimit.
Neni 14
Procedura për ndërmjetësim në procesin penal
1. Gjykata, në përputhje me nenet 333 dhe 338 të Kodit të Procedurës Penale, fton palët për zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjes objekt gjykimi, parashikuar në nenin 2 pika 3 të këtij ligji, duke iu caktuar palëve një afat në përputhje me natyrën e mosmarrëveshjes.
2. Secila nga palët ka të drejtë të kërkojë në çdo kohë rifillimin e gjykimit.
Neni 15
Liria e palëve për rregullat dhe mënyrën e ndërmjetësimit
1. Palët, në përputhje me këtë ligj, janë të lira të vendosin rregullat dhe mënyrën e zhvillimit të ndërmjetësimit.
2. Palët zgjedhin vullnetarisht një ose më shumë ndërmjetës prej Regjistrit të Ndërmjetësve pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Neni 16
Caktimi i ndërmjetësit
1. Kur palët bien dakord për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me ndërmjetësim, ato bashkërisht caktojnë ndërmjetësin nga lista e ndërmjetësve të licencuar.
2. Lista e ndërmjetësve të licencuar duhet të jetë e njohur për publikun dhe e afishuar pranë dhomave të ndërmjetësve, në zyrat e ndërmjetësve që e ushtrojnë ndërmjetësimin, si subjekte juridike ose fizike, si dhe pranë institucioneve të tjera, si gjykata.
Neni 17
Zhvillimi i ndërmjetësimit
1. Përpara fillimit të procedurës së ndërmjetësimit, ndërmjetësi është i detyruar që të informojë palët për qëllimet dhe parimet e përgjithshme, rolin e ndërmjetësit dhe të palëve në proces, shpenzimet e procesit të ndërmjetësimit dhe efektet e marrëveshjes së ndërmjetësimit.
2. Palët dhe ndërmjetësi nënshkruajnë bashkërisht, me shkrim, marrëveshjen për realizimin e procesit të ndërmjetësimit, ku duhet të përcaktohen:
a) gjeneralitetet e palëve të kësaj marrëveshjeje dhe të përfaqësuesve të tyre;
b) përshkrimi i objektit të mosmarrëveshjes;
c) pranimi i parimeve të ndërmjetësimit, sipas këtij ligji dhe të ndërmjetësit të caktuar; ç) vendi i ndërmjetësimit;
d) shpenzimet e ndërmjetësimit dhe shpërblimi i ndërmjetësit.
3. Në mungesë të një marrëveshjeje për mënyrën e zhvillimit të ndërmjetësimit, ndërmjetësit mund ta zhvillojnë ndërmjetësimin në mënyrën më të përshtatshme për palët, mbështetur në rrethanat e çështjes, në çdo kërkesë që mund të paraqesin palët dhe në çdo nevojë për një zgjidhje të shpejtë të mosmarrëveshjes.
4. Në çdo rast, në zbatimin e procedurave të ndërmjetësimit, ndërmjetësi duhet të kujdeset për të siguruar trajtimin e njëjtë të palëve, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e çështjes.
5. Kur nuk vendoset ndryshe nga palët, ndërmjetësi ka të drejtë që, në çdo fazë të zbatimit të procedurave të ndërmjetësimit, të propozojë një zgjidhje të pranueshme të mosmarrëveshjes.
Neni 18
Komunikimi me palët
1. Përveçse kur vendoset ndryshe nga palët, ndërmjetësi mund të takojë ose të komunikojë me palët, së bashku ose veçmas me secilën prej tyre.
2. Ndërmjetësi, pasi njihet me rrethanat dhe të dhënat e ofruara nga njëra palë në mosmarrëveshje, mund t’i parashtrojë palës tjetër çështjet thelbësore që rezultojnë nga këto rrethana.
Neni 19
Konfidencialiteti
1. Përveçse kur palët kanë rënë dakord ndryshe, tërësia e të dhënave dhe e rrethanave për procedurat e ndërmjetësimit duhet të mbeten konfidenciale.
2. Pavarësisht nga rregulli i ruajtjes së konfidencialitetit, bëhen publike të dhënat dhe përmbajtja e marrëveshjes së arritur në rastet kur:
a) është e nevojshme për shkaqe të cenimit të interesave themelorë të shtetit dhe/apo interesit publik;
b) është e nevojshme për parandalimin apo ndalimin e dhunës fizike apo psikologjike ndaj çdo personi, veçanërisht ndaj fëmijëve apo personave me aftësi të kufizuara;
c) është e nevojshme për parandalimin apo ndalimin e keqtrajtimit, të dhunës fizike apo psikike të personave me aftësi të kufizuara;
ç) nëpërmjet bërjes publike të të dhënave dhe/apo marrëveshjes së ndërmjetësimit sigurohet zbatimi i kësaj marrëveshjeje.
Neni 20
Mospërdorimi i të dhënave
1. Përveçse kur palët kanë rënë dakord ndryshe, një palë që merr pjesë në procedurën e ndërmjetësimit ose një person i tretë, përfshirë dhe ndërmjetësin, nuk mund të kërkojnë ose të përdorin në një proces gjyqësor, arbitrazhi a në ndonjë procedurë tjetër të ngjashme, prova ose dëshmi, pavarësisht nga forma e tyre, si më poshtë:
a) ftesën e një pale për të marrë pjesë në një procedurë ndërmjetësimi ose veprimin me të cilin njëra nga palët ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në procedurën e ndërmjetësimit;
b) mendimet e shprehura ose sugjerimet e bëra nga njëra palë gjatë ndërmjetësimit ose nga ndërmjetësi për zgjidhjen e mundshme të mosmarrëveshjes;
c) deklaratat ose pohimet e bëra nga njëra palë gjatë zhvillimit të procedurës së ndërmjetësimit;
ç) propozimet e bëra nga ndërmjetësi;
d) faktin që njëra nga palët në procedurën e ndërmjetësimit ka shprehur vullnetin për të pranuar propozimin e bërë nga ndërmjetësi ose zgjidhjen e mosmarrëveshjes;
dh) një dokument t ë përgatitur vetëm për qëllim të procedurës së ndërmjetësimit.
2. Rregullat e parashikuara në pikën 1 të këtij neni zbatohen nga gjykata, arbitrazhi dhe në procedura të tjera të ngjashme, pavarësisht nëse këto organe e shqyrtojnë një mosmarrëveshje që ka qenë ose është në procedurën e ndërmjetësimit.
Neni 21
Përfundimi i procedurës së ndërmjetësimit
Procedura e ndërmjetësimit përfundon:
a) ditën e nënshkrimit të marrëveshjes për zgjidhjen e mosmarrëveshjes;
b) ditën e nënshkrimit të deklaratës me shkrim të ndërmjetësit, pas këshillimit me palët që ndërmjetësohen, sepse përpjekjet për ndërmjetësim të mëtejshëm nuk janë të justifikuara;
c) ditën e nënshkrimit të deklaratës me shkrim të palëve ndërmjetëse, me anë të së cilës i drejtohen ndërmjetësit, ku i njoftojnë se procedura e ndërmjetësimit ka përfunduar;
ç) ditën e nënshkrimit të deklaratës me shkrim të njërës palë, drejtuar palës tjetër, ndërmjetësit, ku njoftohen se procedura e ndërmjetësimit ka përfunduar;
d) me vdekjen e ndonjërës nga palët në proces;
dh) me likuidimin e personit juridik, palë në proces.
Neni 22
Aktmarrëveshja
1. Kur palët bien dakord për zgjidhjen e pranueshme të mosmarrëveshjes ndërmjet tyre, së bashku me ndërmjetësit, nënshkruajnë marrëveshjen përkatëse, në kuptim dhe në zbatim të kushteve, rasteve dhe të procedurave të parashikuara në këtë ligj. Kjo marrëveshje është e detyrueshme dhe e ekzekutueshme në të njëjtën shkallë me vendimet e arbitrazhit.
2. Në aktmarrëveshje përcaktohen:
a) palët;
b) përshkrimi i mosmarrëveshjes;
c) detyrimet e kushtet që palët i vënë njëra-tjetrës dhe mënyra e afati i përmbushjes së tyre;
ç) nënshkrimi i palëve dhe i ndërmjetësit.
Afati për përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në marrëveshje vendoset nga palët në mirëkuptim me njëra-tjetrën. Aktmarrëveshja duhet të përmbajë detyrime të qarta dhe saktësisht të përcaktuara.
3. Aktmarrëveshja lidhet me shkrim, përveç rasteve kur ndërmjetësi dhe palët vlerësojnë se ajo mund të lidhet me gojë, nisur nga natyra e mosmarrëveshjes, si dhe kur ligji nuk e ndalon një gjë të tillë.
4. Aktmarrëveshja hartohet në tri kopje, një për secilën palë dhe një kopje që depozitohet te subjekti ndërmjetës, i cili është i detyruar të administrojë çdo aktmarrëveshje dhe dokumentacion lidhur me to, sipas rregullave të përcaktuara nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve.
Neni 23
Zbatimi i marrëveshjes së ndërmjetësimit
1. Kur çështja është referuar për ndërmjetësim nga gjykata, ndërmjetësi, në përfundim të procedurës së ndërmjetësimit, ose në afatin e përcaktuar prej tyre, i njofton ato për zgjidhjen ose jo të mosmarrëveshjes, duke dërguar edhe aktet përkatëse.
2. Në rastin kur është zgjidhur çështja me anë të ndërmjetësimit, organet gjyqësore vendosin, sipas rastit, miratimin e zgjidhjes me pajtim të çështjes civile ose pushimin e çështjes penale apo mosfillimin e procedimit penal, përveç rasteve kur arrihet në përfundimin se vërehet pavlefshmëri.
3. Nëse aktmarrëveshja respekton kushtet e përcaktuara në nenin 22 të këtij ligji, përbën titull ekzekutiv dhe, në këtë rast, ngarkohet shërbimi përmbarimor për ekzekutimin e tij.
4. Kur bëhet kundërshtim, gjykata merr parasysh mënyrën e zgjidhjes me ndërmjetësim, por, gjithashtu, nuk ka pengesë ligjore për zgjidhje tjetër, në përputhje me ligjin.
Neni 24
Pavlefshmëria e ndërmjetësimit
1. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve me ndërmjetësim, në kuptim të këtij ligji, është e pavlefshme kur:
a) realizohet nga persona që nuk janë ndërmjetës të licencuar dhe të regjistruar sipas këtij ligji;
b) mosmarrëveshja, sipas ligjit, duhet zgjidhur vetëm në rrugë gjyqësore;
c) përmban detyrime të vlerësueshme në të holla dhe nuk formulohet me shkrim; ç) përmban detyrime për subjekte që nuk kanë marrë pjesë në ndërmjetësim;
d) ka simulim dhe, për konfliktin real, ka shkaqe pavlefshmërie.
2. Gjykata, përveç rasteve të parashikuara në Kodin Civil për pavlefshmërinë e veprimeve juridike, mund ta konstatojë marrëveshjen e arritur me ndërmjetësim të pavlefshme edhe kur arrin në përfundimin se ajo nuk respekton rendin publik në Republikën e Shqipërisë.
3. Pavlefshmëria e marrëveshjes së ndërmjetësimit, sipas këtij ligji, nuk i pengon palët në konflikt të realizojnë marrëveshjen e arritur, duke ushtruar të drejtat që gëzojnë me ligje të tjera.
KREU IV
DISPOZITAT E FUNDIT
Neni 25
Aktet nënligjore
1. Këshilli i Ministrave, brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton:
a) vendimin e parashikuar në nenin 4 pika 2 të këtij ligji, bazuar në parimin e ligjshmërisë dhe transparencës;
b) vendimin e parashikuar në nenin 6 pika 3 të këtij ligji, bazuar në parimet e ligjshmërisë, barazisë dhe mosdiskriminimit, proporcionalitetit dhe transparencës.
2. Ministri i Drejtësisë, brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton urdhrin e parashikuar në nenin 4 pika 6 të këtij ligji, bazuar në parimin e ligjshmërisë.
3. Dhoma miraton aktet, që rregullojnë veprimtarinë e ndërmjetësimit si p rofesion, si dhe Kodin e Etikës së Ndërmjetësit, brenda tre muajve nga krijimi i saj.
Neni 26
Dispozitë kalimtare
1. Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, subjektet që kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit të ndërmjetësit, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 9090, datë 26.6.2003 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, paraqesin kërkesë pranë Ministrisë së Drejtësisë për regjistrimin e tyre në Regjistrin e Ndërmjetësve.
2. Ministria e Drejtësisë, kur konstaton se subjektet që kanë paraqitur kërkesë, sipas pikës 1 të këtij neni, janë regjistruar në gjykatë si persona fizikë ose juridikë dhe në organet tatimore, sipas ligjit nr.9090, datë 26.3.2003 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, i regjistron ata në Regjistrin e Ndërmjetësve.
Neni 27
Shfuqizime
Ligji nr.9090, datë 26.6.2003 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, shfuqizohet.
Neni 28
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.6922, datë 8.3.2011 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi